Një pjesë e konsiderueshme e grave që punojnë në media në Kosovë janë përballur me abuzim dhe ngacmime në internet. Sipas një raporti të ri, 61 për qind e grave të anketuara kanë deklaruar se kanë përjetuar forma të tilla gjatë ushtrimit të profesionit.
Të dhënat janë publikuar në një raport të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, të realizuar në bashkëpunim me UNMIK-un dhe misionin e OSBE-së në Kosovë, me titull “Nga Analiza në Veprim: Fuqizimi i Lidershipit të Grave dhe Luftimi i Dezinformimit Gjinor në Kosovë”.
Drejtoresha ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi, e ka cilësuar shifrën si shqetësuese, duke theksuar se gazetaret jo rrallë përballen me informacione të rreme dhe sulme që lidhen drejtpërdrejt me gjininë e tyre.
Sipas saj, shumë prej grave që kanë raportuar abuzim online kanë thënë se janë shënjestruar jo vetëm për punën që bëjnë, por edhe për shkak të gjinisë, ndërsa në sulme shpesh përfshihen edhe elemente personale.
Gazetarja Ardiana Thaqi-Mehmeti ka ndarë përvojën e saj me ngacmimet online, duke thënë se rasti i fundit këtë verë ishte veçanërisht i rëndë për të.
Ajo ka treguar se përvoja e saj profesionale dhe personale ndër vite ka ndikuar në mënyrën se si e ka përjetuar rastin, duke theksuar se tashmë është nënë e dy fëmijëve dhe se dëshiron të mbrojë familjen nga ekspozimi publik.
Në raport dhe diskutimet për të janë evidentuar edhe forma të tjera të presionit ndaj grave në media. Drejtoresha e RTK2, Aleksandra Jovanović, ka theksuar se gazetaret përballen me ngacmime online, fyerje seksiste, presione dhe tentativa për degradim profesional.
Në anën tjetër, aktivistja nga komuniteti rom, Gynesh Veshall, ka ngritur shqetësimin për komentet fyese që pjesëtarët e komunitetit të saj përballojnë prej vitesh në rrjetet sociale.
Ajo ka thënë se nevojiten masa konkrete për trajtimin e këtyre rasteve dhe ka përmendur edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës në adresimin e kësaj problematike.