August 20, 2026
1 min read

Breshëri goditi fermerët e Istogut, raporti i dëmeve dërgohet në ministri

Kuvendi i Komunës së Istogut ka mbajtur sot një mbledhje të jashtëzakonshme, ku në fokus ishte situata e krijuar pas dëmeve të shkaktuara nga breshëri më 20 korrik 2026.

Seanca u drejtua nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Enver Rugova, ndërsa të pranishëm ishin edhe kryetari i Komunës, Ilir Ferati, anëtarët e kuvendit dhe ekzekutivi komunal.

Gjatë mbledhjes u shqyrtua raporti i Komisionit Komunal për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësia natyrore, me theks të veçantë te dëmet që kanë prekur fermerët dhe kulturat bujqësore në territorin e Istogut.

Pas shqyrtimit, raporti do t’i dërgohet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, me qëllim që institucionet qendrore të ndërmarrin hapat e mëtejmë dhe të vlerësojnë mundësinë e mbështetjes për fermerët e dëmtuar.

Komuna e Istogut ka shprehur pritjen që institucionet qendrore të reagojnë ndaj situatës dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme për bujqit që kanë pësuar humbje nga breshëri.

Komuna ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet qendrore për adresimin e dëmeve dhe gjetjen e formave të mbështetjes për fermerët e prekur.

Latest from Blog

Go toTop