August 20, 2026
1 min read

Spahiu: Formacionet ushtarake jugosllave nuk u çarmatosën pas luftës, u intervistuan 27 persona

Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës në Policinë e Kosovës, Bashkim Spahiu, ka deklaruar se armatimi i përdorur nga formacionet e Ushtrisë Jugosllave gjatë luftës dyshohet se ka mbetur në posedim edhe pas përfundimit të saj.

Në një konferencë për media nga Qendra e Njësive Speciale “Enver Zymeri” në Mitrovicë, Spahiu tha se Policia posedon informacione dhe dëshmi se pjesëtarët e mobilizuar të Mbrojtjes Territoriale të Ushtrisë Jugosllave nuk ishin çarmatosur pas përfundimit të luftës.

Sipas tij, gjatë operacionit për gjetjen dhe konfiskimin e arsenalit të armëve në zonën e Zubin-Potokut janë intervistuar 27 persona.

“Ne kemi informacione, por kemi edhe dëshmi, që formacioni ushtarak që ka vepruar, përkatësisht Mbrojtja Territoriale e Ushtrisë Jugosllave, stafin e mobilizuar nuk e ka çarmatosur me përfundim të luftës”, deklaroi Spahiu.

Ai bëri të ditur se te një person i dyshuar janë konfiskuar armë, të cilat do t’u nënshtrohen ekzaminimeve sipas procedurave ligjore.

Policia e Kosovës ka ekspozuar sot arsenalin e konfiskuar gjatë operacioneve të zhvilluara në 12 lokacione të ndryshme në veri të Kosovës, ku janë sekuestruar armë, municione dhe pajisje të ndryshme.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop