Blerim Skoro, 55-vjeçar me origjinë nga Kosova dhe baba i tre fëmijëve, është arrestuar nga autoritetet amerikane të emigracionit dhe po përballet me mundësinë e dëbimit nga Shtetet e Bashkuara.
Skoro u arrestua nga ICE më 3 gusht, jashtë një zyre emigracioni në New Jersey, ku kishte shkuar për të rinovuar dokumentacionin.
Avokatët e tij po kërkojnë nga një gjykatë federale që ta ndalojë dëbimin, duke pretenduar se Skoro kishte bashkëpunuar për vite me inteligjencën amerikane dhe se i ishte premtuar leje qëndrimi.
Sipas raportimit të CBS News, Skoro pretendon se pas sulmeve të 11 Shtatorit kishte punuar në mënyrë të fshehtë për autoritetet amerikane dhe ishte infiltruar në Al-Kaeda. Avokatët e tij pretendojnë se informacionet e siguruara prej tij kanë ndihmuar autoritetet në raste që lidhen me anëtarë të Al-Kaedës, Al-Shabaabit dhe Hezbollahut.
Dokumente të FBI-së, sipas raportimit, e identifikonin Skoron si informator në një hetim që përfshinte Osama bin Ladenin, ndërsa një pjesë e informacioneve të tij ishin vlerësuar si të besueshme.
“Kurrë nuk mendova se do të më tradhtonin kështu”, ka deklaruar Skoro nga qendra e paraburgimit në Elizabeth.
Ai aktualisht punon si shofer taksie në Staten Island, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët e tij janë shtetas amerikanë.
Në vitin 2022, një gjykatës kishte ndaluar dëbimin e tij drejt Kosovës, duke vlerësuar rrezikun që mund t’i kanosej, por vendimi nuk i kishte siguruar leje të përhershme qëndrimi në SHBA.
Avokatët e tij pretendojnë se përpjekja aktuale për dëbim cenon mbrojtjen që i ishte dhënë më herët nga gjykata.
/Demantim News/