Policia e Kosovës ka zhvilluar një seri operacionesh në zonën e Zubin-Potokut gjatë periudhës 6–17 gusht, me qëllim të zbulimit dhe sekuestrimit të armëve ilegale.
Operacionet janë realizuar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Luftës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë të ditur se gjatë aksioneve janë kontrolluar gjithsej 45 lokacione, ku janë sekuestruar sasi të konsiderueshme armësh, municionesh, pajisjesh ushtarake dhe dokumentesh.
Në mesin e armatimit të sekuestruar janë 20 mitralozë, 11 armë AK-47, 22 armë të gjata të llojeve të ndryshme, 27 pushkë gjuetie, nëntë pistoleta dhe një pushkë ajrore.
Policia ka sekuestruar gjithashtu 4 mijë e 831 copë municion të kalibrave të ndryshëm, si dhe karikatorë, kondakë, optikë dhe pjesë të tjera të armëve.
Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe pajisje ushtarake, përfshirë gazmaska, dylbi, radiolidhje, thika dhe sëpata ushtarake, çanta e uniforma, disa prej të cilave, sipas Hoxhës, lidhen me ushtrinë dhe policinë e Serbisë.
Po ashtu, janë sekuestruar dokumente që lidhen me Mbrojtjen Territoriale të ish-Jugosllavisë, kartela të veteranëve të luftës, leje armësh dhe dokumente të tjera.
Në kuadër të operacioneve janë gjetur dhe sekuestruar edhe 9 mijë e 600 euro dhe 5 mijë franga.
Sipas Hoxhës, operacionet kanë për qëllim parandalimin e posedimit dhe qarkullimit të armëve ilegale, ndërsa materialet e sekuestruara do të trajtohen në kuadër të hetimeve.
/Demantim News/