Banorë të disa fshatrave të Pejës po përballen me probleme në furnizimin me ujë të pijshëm, ndërsa në fshatin Raushiq raportohet se situata po vazhdon prej disa ditësh.
Mërgimtari Beqir Veseli ka deklaruar se fshati, i cili sipas tij ka rreth 1 mijë e 700 banorë, po përballet me mungesë të ujit prej katër ditësh.
“Që katër ditë është pa ujë të pijshëm, domethënë s’ka bash askush hiç”, ka deklaruar Veseli.
Ai tha se banorët nuk kanë informacione të qarta se cili është shkaku i problemit dhe kujt duhet t’i drejtohen.
Nga Komuna e Pejës kanë deklaruar se çështja e furnizimit me ujë nuk është në kompetencën e tyre, duke i orientuar qytetarët te Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini”.
Nga “Hidrodrini” kanë bërë të ditur se problemet me furnizimin janë pasojë e rritjes së madhe të konsumit, keqpërdorimit të ujit dhe thatësirës në burime.
Sipas kompanisë, disa lagje të Raushiqit nuk kanë arritur të kenë furnizim të plotë me ujë gjatë 24 orëve.
“Hidrodrini” ka njoftuar gjithashtu se inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe se personat që kapen duke keqpërdorur ujin po penalizohen.
/Demantim News/