August 20, 2026
1 min read

Aleanca kërkon dorëheqjen e Bordit dhe menaxhmentit të KEK-ut pas vdekjes së punëtorëve

Partia opozitare Aleanca ka reaguar pas vdekjes së punëtorit të KEK-ut, Arbenit Ahmeti, duke akuzuar Qeverinë dhe drejtuesit e ndërmarrjes për neglizhencë dhe dështim në garantimin e sigurisë në punë.

Sipas Aleancës, vetëm gjatë këtij viti kanë humbur jetën katër punëtorë të KEK-ut: Mixhen Sadiku, Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.

Partia ka theksuar se veçanërisht shqetësues është fakti që dy punëtorë kanë humbur jetën brenda tri ditëve, duke pretenduar se kjo tregon se situata e sigurisë në KEK ka dalë jashtë kontrollit.

Aleanca ka kërkuar hetim të menjëhershëm dhe të pavarur për rastet, si dhe përgjegjësi ligjore e penale për cilindo zyrtar që konstatohet se ka përgjegjësi për neglizhencë apo moszbatim të masave të sigurisë.

Po ashtu, partia ka kërkuar që menaxhmenti dhe Bordi i KEK-ut të japin llogari para drejtësisë dhe të dorëhiqen, duke i konsideruar përgjegjës për gjendjen e krijuar në ndërmarrje.

Në fund, Aleanca u ka shprehur ngushëllime familjeve të punëtorëve që kanë humbur jetën në vendin e punës.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop