August 21, 2026
1 min read

A lirohet Thaçi nëse shpallet i pafajshëm? Ja çfarë thotë Gjykata Speciale

Gjykata Speciale pritet të shpallë më 16 shtator aktgjykimin në rastin kryesor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, pas procesit për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Por në rast se Thaçi shpallet i pafajshëm, kjo nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht lirimin e tij të menjëhershëm.

Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, një i akuzuar i paraburgosur që shpallet i pafajshëm lirohet menjëherë, përveç rasteve kur mbahet ligjërisht në paraburgim për një çështje tjetër ose është duke vuajtur dënim për vepra të tjera penale.

Në rastin e Thaçit ekziston edhe një proces i veçantë për pengim të drejtësisë, ku ai gjithashtu ndodhet në paraburgim. Për këtë arsye, nëse shpallet i pafajshëm në rastin e krimeve të luftës, vazhdimi i paraburgimit të tij do të varet nga vendimi i gjyqtarit që po shqyrton çështjen tjetër.

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, ka sqaruar se gjyqtari i vetëm duhet ta rishikojë periodikisht nëse paraburgimi i Thaçit vazhdon të jetë i arsyeshëm dhe i justifikuar.

Vendimi i fundit për vazhdimin e paraburgimit ishte marrë më 31 korrik, ndërsa gjyqtari kishte vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.

Thaçi përballet me dy procese

Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Përveç këtij procesi, ai përballet edhe me një rast tjetër për pengim të drejtësisë, së bashku me disa persona të tjerë.

Në këtë rast, akuzat lidhen me pretendimet se gjatë vitit 2023 janë ndërmarrë veprime për të ndikuar te dëshmitarët në procesin kryesor.

Pra, nëse Thaçi shpallet i pafajshëm më 16 shtator, ai mund të mos lirohet menjëherë, pasi paraburgimi në rastin tjetër mund të vazhdojë nëse gjyqtari i vetëm vlerëson se ekzistojnë ende bazat ligjore për mbajtjen e tij.

Latest from Blog

Go toTop