Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar një muaj paraburgim ndaj N.B., i dyshuar për posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Rasti ka ndodhur më 19 gusht 2026, rreth orës 23:30, në Brezovicë të Shtërpcës, pasi policia ishte njoftuar për praninë e substancës së dyshuar narkotike në një vilë të pabanuar.
Sipas gjykatës, gjatë intervenimit policor është vërejtur një person duke ikur drejt zonës malore. Pas ndjekjes, zyrtarët kanë ndaluar N.B., i cili po lëvizte me një skuter.
Gjatë kontrollit, atij i është gjetur marihuanë dhe dy peshore digjitale. Më pas, policia ka kontrolluar edhe një vilë të një familjari të tij, ku është gjetur një sasi tjetër e substancës së dyshuar narkotike.
Në total janë sekuestruar 1.063 gramë marihuanë, të ndara në disa qese, si dhe një çantë e zezë, dy peshore digjitale dhe një thikë metalike.
Gjykata ka vlerësuar se provat e mbledhura deri në këtë fazë krijojnë dyshim të bazuar për veprën penale për të cilën dyshohet N.B., ndaj ka vendosur caktimin e paraburgimit për një muaj.
Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij aktvendimi, por ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e masës.
Shënim: I pandehuri prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.