August 21, 2026
1 min read

Zjarret në Shqipëri, 252 efektivë në terren – dy vatra mbeten kritike

Situata me zjarret në Shqipëri vijon të jetë problematike, ndërsa 252 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në terren për përballimin e vatrave aktive.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka bërë të ditur se gjatë natës ekipet e Forcës Tokësore kanë vazhduar operacionet në Milot, Pukë dhe Vlorë, në mbështetje të komuniteteve dhe strukturave lokale.

Nga nëntë vatra aktive të raportuara gjatë ditës, dy konsiderohen më problematiket: zona mes Gojanit dhe Gjegjanit në Pukë dhe zjarret në malin e Dukatit, në zonën e Shates.

Në Gojan po ndërhyhet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, ku janë angazhuar tre helikopterë. Puna po vështirësohet nga terreni i thyer dhe erërat, ndërsa në zonat pranë vatrave janë evakuuar edhe disa banorë.

Në malin e Dukatit, ku zjarri nisi mbrëmjen e së enjtes, janë angazhuar rreth 40 efektivë dhe dy avionë “Air Tractor”. Për momentin nuk raportohet rrezik për banesat.

Ndërkohë, situata në vatrat e tjera në Dajt, Milot dhe Memaliaj paraqitet më e përmirësuar, ndërsa ekipet vijojnë punën për neutralizimin e vatrave aktive dhe parandalimin e përhapjes së zjarreve.

Latest from Blog

Go toTop