Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka përkujtuar ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi, në nëntëvjetorin e vdekjes së tij.
Peci ka vlerësuar kontributin e Rexhepit në periudha të ndryshme të historisë së Kosovës, duke e veçuar angazhimin e tij si mjek gjatë luftës dhe më pas në institucionet e vendit.
Ai ka theksuar se Rexhepi ishte kryeministri i parë i Kosovës, kryetar i Mitrovicës dhe ministër i Punëve të Brendshme, duke e cilësuar si një nga figurat që mbetet pjesë e kujtesës për lirinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
“Bajram Rexhepi ishte një ndër kontribuuesit më të mëdhenj, fillimisht si kirurg i luftës e më pas përmes angazhimit të tij politik. Gjatë luftës i shërbeu UÇK-së si mjek në terren, ndërsa pas luftës mori përgjegjësi të rëndësishme shtetërore”, ka shkruar Peci.
Ai ka shtuar se Rexhepi u përkushtua për Kosovën që nga vitet ’90, fillimisht përmes angazhimit politik dhe më pas në proceset e ndërtimit të institucioneve të shtetit.