Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka shprehur mbështetjen e plotë për “Marshin për Liri”, të organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë nën moton “Kosova po pret”.
Përmes një videomesazhi, Hamza u ka bërë thirrje qytetarëve dhe strukturave të PDK-së që të mobilizohen dhe t’i bashkohen marshit.
“Si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, e mbështes plotësisht marshin e organizuar nga platforma ‘Liria ka Emër’, më 12 shtator në Prishtinë”, ka deklaruar Hamza.
Ai ka theksuar se 16 shtatori është një datë e rëndësishme për Kosovën dhe për, siç është shprehur, të vërtetën e luftës çlirimtare, duke paralajmëruar edhe aktivitete të tjera deri në këtë datë.
Kreu i PDK-së ka kërkuar që organizimi të tejkalojë ndarjet politike, duke ftuar qytetarët pa dallim partie apo bindjeje që të marrin pjesë.
“Askush nuk duhet të mbetet anash kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të vërtetës sonë. Prandaj, i ftoj të gjithë qytetarët, pa dallim partie, bindjeje apo përkatësie politike, që më 12 shtator të jemi bashkë në Prishtinë”, ka thënë Hamza.
Në fund, ai ka bërë thirrje për pjesëmarrje nga të gjitha komunat dhe gjeneratat.
“Më 12 shtator, le të jemi të gjithë në Prishtinë. Nga çdo komunë. Nga çdo lagje. Nga çdo gjeneratë”, ka përfunduar Hamza.
/Demantim News/