Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar mënyrën e subvencionimit të teksteve dhe materialeve shkollore, pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se kanë mbetur më pak se dy javë deri në nisjen e mësimit, ndërsa prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet për blerjen e librave dhe, sipas saj, nuk e dinë as se cilat tekste duhet t’i blejnë.
“Prej se Ministria vendosi që mos t’ua sigurojë librat nxënësve, por t’ua qesë paratë prindërve në xhirollogari, çdo shtator e kemi të njëjtën katrahurë”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përmendur aplikimet, pritjen për subvencione dhe vështirësitë e prindërve për t’i siguruar të gjitha tekstet, duke pretenduar se ka raste kur fëmijët e fillojnë mësimin pa i pasur të gjithë librat.
Sipas deputetes së LDK-së, prindërit kanë kërkuar rikthimin e sistemit të mëparshëm, ku tekstet shkollore siguroheshin drejtpërdrejt për nxënësit.
Bajrami ka kritikuar gjithashtu faktin që, sipas saj, pak ditë para fillimit të mësimit prindërit ende presin mjetet, ndërkohë që Ministria u ka bërë thirrje të mos nxitojnë me blerjen e librave deri në publikimin e katalogut përfundimtar.
/Demantim News/