Shtetet e Bashkuara kanë vendosur një paketë të re sanksionesh ndaj zyrtarëve dhe kompanive kubaneze, ka bërë të ditur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio.
Në listën e re janë përfshirë nëntë kompani shtetërore që operojnë në sektorët e minierave, metalurgjisë dhe ndërtimit, si dhe Ministria e Ndërtimit dhe disa zyrtarë të lidhur me një institut ndërkombëtar me bazë në Kubë.
Rubio ka deklaruar se masat synojnë të pengojnë financimin e aktiviteteve të Qeverisë kubaneze, të cilën administrata amerikane e akuzon për represion dhe aktivitete kundër interesave të Shteteve të Bashkuara.
“Sanksionet e shpallura e bëjnë të qartë se administrata Trump nuk do të tolerojë përpjekjet e regjimit kuban për të financuar represionin e tij apo për të vazhduar fushatën e tij shumëvjeçare të aktiviteteve subversive kundër Shteteve të Bashkuara”, ka deklaruar Rubio.
Zyrtarë të lartë kubanë nga sektorët e energjisë, financave dhe mbrojtjes tashmë janë subjekt i sanksioneve amerikane.
Masat e SHBA-së dhe kufizimet ndaj importeve të naftës kanë rënduar më tej situatën ekonomike në Kubë, e cila po përballet me mungesa të karburantit, ilaçeve dhe produkteve ushqimore.
Administrata amerikane ka ndërmarrë masa edhe ndaj sektorit kubanez të turizmit, një prej burimeve të rëndësishme të të ardhurave për vendin.
/Demantim News/