August 22, 2026
1 min read

OVL-UÇK mbështet propozimin e Haradinajt: Hashim Thaçi të zgjidhet President pas kthimit në Kosovë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur mbështetje për propozimin e ish-komandantit të UÇK-së dhe ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, që Hashim Thaçi të rimarrë mandat nga Kuvendi dhe të zgjidhet President i Kosovës pas kthimit në vend.

Sipas OVL-UÇK-së, ky propozim ka peshë kombëtare dhe institucionale dhe mund t’i shërbejë frymës unifikuese në Kosovë.

Organizata ka vlerësuar rolin e Thaçit gjatë luftës çlirimtare, si dhe angazhimin e tij në proceset shtetformuese dhe shtetndërtuese të Kosovës.

“Roli i Hashim Thaçit në shërbim të luftës çlirimtare dhe më pas përgjegjësitë institucionale nëpër të gjitha proceset shtetformuese dhe shtetndërtuese janë garanci dhe siguri për ecjen përpara të Kosovës në krah me aleatët tanë strategjikë”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK ka theksuar se kthimi i Thaçit duhet të pritet me dinjitet institucional dhe përmes një zgjidhjeje të ligjshme, duke vlerësuar se situata aktuale institucionale nuk duhet ta mbajë vendin në ngërç.

Organizata u ka bërë thirrje institucioneve dhe partive politike që ta shqyrtojnë seriozisht propozimin e Haradinajt, përtej ndarjeve partiake.

“Sot Kosova ka nevojë më shumë se kurrë që të mbizotërojë interesi kombëtar, dinjiteti dhe siguria e shtetit”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop