Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se Hashim Thaçi duhet të rikthehet në postin e Presidentit të Kosovës pas përfundimit të procesit gjyqësor ndaj tij.
Përmes një postimi në Facebook, Tahiri ka thënë se deklarata e tij e një dite më parë, se Thaçi është presidenti që i duhet Kosovës, tashmë ka marrë mbështetje edhe nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.
“Deklarimi im i djeshëm, si shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, se Hashim Thaçi është Presidenti që i duhet Kosovës, sot mori mbështetje të rëndësishme politike edhe nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj”, ka shkruar Tahiri.
Sipas tij, pas përfundimit të procesit më 16 shtator, Thaçi duhet të rikthehet në Zyrën e Presidentit, duke e cilësuar këtë si korrigjim të një padrejtësie të zgjatur.
“Menjëherë pas përfundimit të procesit më 16 shtator, Presidenti Thaçi duhet të rikthehet në Zyrën e Presidentit. Ky do të ishte një korrigjim i vonuar i kësaj padrejtësie të zgjatur”, ka deklaruar ai.
Tahiri ka përmendur edhe Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, duke shprehur pritjen që pas 16 shtatorit ata të lirohen.
“Numërimi së prapthi filloi sot. Pas 16 shtatorit, ata duhet të lirohen dhe të fillojë numërimi përpara i Kosovës, në mënyrë që gjithçka të vihet në rrugën e mbarë”, ka përfunduar Tahiri.
/Demantim News/