Detaje të reja janë bërë publike nga dosja e Prokurorisë së Sarandës lidhur me vrasjen e turistit 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes, ngjarje e ndodhur më 18 gusht në Ksamil.
Sipas dosjes hetimore, konflikti ka nisur rreth orës 05:15, mes një grupi turistësh dhe disa personave të tjerë, ndërsa situata është përshkallëzuar në një përleshje fizike që ka vazhduar deri në zonën e plazhit.
Pamjet e kamerave të sigurisë, sipas hetimeve, tregojnë lëvizjet dhe përplasjet mes personave të përfshirë. Gjatë konfliktit, Mendes dyshohet se është goditur fillimisht me grushte nga disa persona.
Prokuroria pretendon se më pas Sokrat Lipan, i njohur edhe si Sokrat Vata, është afruar pranë 20-vjeçarit dhe e ka goditur disa herë me thikë në trup. David Heurtevent dyshohet gjithashtu se e ka goditur viktimën me grushte gjatë përleshjes.
Sipas pamjeve të përshkruara në dosje, në një moment Mendes është larguar me nxitim duke u futur në det për t’u shpëtuar goditjeve. Pak më vonë ai është parë duke dalë nga uji dhe duke ecur drejt shezlloneve, ndërsa bluza e tij e bardhë ishte e gjakosur.
Kamerat kanë regjistruar gjithashtu largimin e disa prej personave të përfshirë nga vendi i ngjarjes. Rreth orës 05:20, sipas dosjes, është parë duke u larguar edhe Sokrat Lipan, me rrobat e gjakosura.
Hetimet për ngjarjen e rëndë dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë vazhdojnë, ndërsa pretendimet ndaj të dyshuarve mbeten për t’u vërtetuar në procesin gjyqësor.
/Demantim News/