August 22, 2026
1 min read

Aktakuzë për spiunazh ndaj ish-pilotit kroat dhe partneres së tij serbe, dyshohen se zbuluan informacione për KFOR-in në Kosovë

Prokuroria e Qarkut në Split ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj një ish-piloti ushtarak kroat dhe partneres së tij, një shtetaseje serbe nga Kosova, të cilët ishin arrestuar në gusht të vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë kroate, ish-piloti J.I., gjatë kohës që shërbente në Forcat e Armatosura të Kroacisë, dyshohet se nga shkurti deri në dhjetor të vitit 2022 i kishte dhënë në mënyrë të përsëritur partneres së tij informacione të klasifikuara, të cilat i kishte siguruar gjatë kryerjes së detyrës.

Prokuroria pretendon se ai ishte në dijeni se A.M. po i mblidhte informacionet për interes të një shteti të huaj, ndërsa ajo dyshohet se më pas i kishte përcjellë ato në disa adresa jashtë Kroacisë.

Një pjesë e rëndësishme e rastit lidhet me Kosovën dhe misionin e KFOR-it. Ish-piloti dyshohet se gjatë shërbimit në KFOR i kishte zbuluar partneres informacione për lëvizjen e trupave ndërkombëtare dhe zhvillimet e sigurisë në veri të Kosovës.

Sipas dyshimeve, këto informacione më pas i janë përcjellë Listës Serbe.

Ai dyshohet se kishte dhënë edhe informacione për lëvizjet e serbëve në veri të Kosovës dhe zhvillimet në këtë pjesë të vendit që nga fundi i vitit 2022.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës së Qarkut në Split vazhdimin e masave ndaj të akuzuarës për shkak të rrezikut të arratisjes.

Ish-piloti ishte liruar nga paraburgimi në fund të tetorit të vitit të kaluar, me masa paraprake dhe ndalim kontakti me njërin prej dëshmitarëve. Për shkak të këtij rasti, ai ishte shkarkuar edhe nga shërbimi ushtarak.

Me ngritjen e aktakuzës, hetimet konsiderohen të përfunduara dhe rasti kalon në fazën tjetër të procedurës penale.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop