August 22, 2026
1 min read

Sinani kërkon hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës: Nevojiten hapa konkretë

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka kërkuar hapjen e një Konsullate të Republikës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës, duke e cilësuar këtë si një kërkesë të kahershme dhe nevojë të domosdoshme për shqiptarët e kësaj zone.

Kërkesa është ngritur gjatë një takimi në Tiranë me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha, ku morën pjesë edhe deputeti Shaip Kamberi, kryetari i Bujanocit, Arbër Pajaziti, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

Sinani ka thënë se takimi ishte i drejtpërdrejtë dhe përmbajtësor, ndërsa ka theksuar nevojën për një prani më të madhe institucionale të Shqipërisë dhe Kosovës në Luginën e Preshevës.

Sipas saj, hapja e Konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc do ta afronte shtetin shqiptar me qytetarët shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës dhe do të lehtësonte komunikimin dhe adresimin e çështjeve me interes për ta.

Sinani ka përmendur edhe pengesat që, sipas saj, Serbia ka krijuar në realizimin e mbështetjes financiare të Kosovës për Luginën, si dhe vështirësitë gjatë vizitave të zyrtarëve të Kosovës dhe realizimit të mbështetjes nga Shqipëria.

“Takimet janë të rëndësishme. Dialogu është i domosdoshëm. Por nevojiten edhe hapa konkretë. Konsullata e Shqipërisë në Bujanoc do të ishte një hap i tillë”, ka deklaruar Sinani.

Ajo ka theksuar se do të vazhdojë ta kërkojë rritjen e pranisë institucionale të Tiranës dhe Prishtinës në Luginën e Preshevës.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop