Karabinierët italianë, pjesë e Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe (MSU) në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR, po zhvillojnë rregullisht patrullime në Gjakovë.
Sipas KFOR-it, patrullimet kanë për qëllim ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, si dhe rritjen e pranisë së dukshme dhe fleksibile të trupave të misionit në terren.
Përmes këtyre aktiviteteve synohet gjithashtu të rritet vetëdijesimi mbi situatën e sigurisë në zona të ndryshme të Kosovës.
KFOR-i ka bërë të ditur se vazhdon zbatimin e mandatit të tij, duke kontribuar në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët, në mënyrë të paanshme.
“Misioni i KFOR-it vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në sigurinë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë”, thuhet në njoftim.
KFOR-i ka theksuar se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.
/Demantim News/