August 22, 2026
1 min read

Zogiani sqaron rastin e restorantit te Liqeni i Radoniqit: Njoftimi për mbyllje i është përcjellë operatorit

Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Avni Zogiani, ka reaguar lidhur me pretendimet e operatorit të restorantit buzë Liqenit të Radoniqit se nuk kishte pranuar njoftim për mbylljen e aktivitetit.

Sipas Zogianit, procesverbali i Inspektoratit të MMPH-së fillimisht i është dorëzuar KRU “Gjakova”, si pronare legjitime e pronës, ndërsa më pas i është përcjellë edhe biznesit që operon aty.

“Në lidhje me pretendimet e operatorit në Liqenin e Radoniqit, se nuk ka marrë asnjë njoftim për mbylljen e aktivitetit, duam të sqarojmë se procesverbali i Inspektoratit të MMPH i është dorëzuar pronarit legjitim të pronës, KRU ‘Gjakova’, e cila tashmë e ka përcjellë atë te biznesi”, ka shkruar Zogiani.

Ai ka bërë të ditur se vendimi zyrtar i Ministrisë pritet t’i dorëzohet operatorit të hënën nga Inspektorati.

Një ditë më parë, ministrja në detyrë e MMPH-së, Fitore Pacolli, njoftoi se Inspektorati i Mjedisit kishte urdhëruar mbylljen e aktivitetit të restorantit dhe hotelit “Liqeni i Dukagjinit”.

Sipas Pacollit, objekti ndodhet në zonën e mbrojtur të Liqenit të Radoniqit dhe aktiviteti i tij ka qenë në kundërshtim me legjislacionin mjedisor.

Ajo deklaroi se aktiviteti ishte në shkelje të Ligjit për Ujërat dhe vendimit të Qeverisë për përcaktimin e zonave sanitare të Liqenit të Radoniqit, duke pretenduar se kjo rrezikonte sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop