Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se situata me zjarret në vend ka shënuar përmirësim, ndërsa disa nga vatrat kryesore janë izoluar ose shuar plotësisht.
Deri në orën 17:00 janë raportuar gjithsej 10 vatra zjarri, prej të cilave katër mbeten aktive dhe gjashtë janë nën mbikëqyrje.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 332 forca operacionale dhe 15 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje janë vendosur edhe 150 efektivë të Forcave të Armatosura, tre automjete zjarrfikëse, një ekskavator i rëndë, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.
Në zonën Gojan–Gjegjan të Pukës, situata është përmirësuar ndjeshëm. Vatrat në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë izoluar, ndërsa ekipet po vazhdojnë kontrollin për të parandaluar riaktivizimin e flakëve.
Në Prozhem të Pukës, zjarri vazhdon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore. Intensiteti i tij ndikohet nga era, por aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Operacionet po vazhdojnë edhe në Shtanë–Tenë të Mirditës, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërhyrja po vazhdon gjithashtu në Malin e Dajtit, ku janë angazhuar forca zjarrfikëse, efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe dy avionë “Air Tractor”. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banorët.
Ndërkohë, zjarri në Dukat është shuar plotësisht, kurse vatrat e tjera vazhdojnë të monitorohen nga ekipet në terren.
/Demantim News/