Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka intensifikuar mbikëqyrjen e tregut gjatë pjesës së parë të vitit 2026, me mbi 3 mijë inspektime dhe qindra mijëra euro gjoba për shkelje të ndryshme.
Sipas MINTI-t, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka kryer mbi 3 mijë kontrolle në fusha që përfshijnë tregtimin e derivateve të naftës, sigurinë e produkteve, mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve.
Po ashtu, janë realizuar më shumë se 250 inspektime për verifikimin e kushteve minimale teknike të operatorëve ekonomikë.
Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar afërsisht 600 mijë euro gjoba, përfshirë raste të mospërputhjes së çmimeve raft–arkë, shitjes së produkteve pa deklaracion ose me afat të skaduar, ushtrimit të veprimtarisë pa regjistrim në ARBK dhe përdorimit të mjeteve matëse me afat të skaduar të vlefshmërisë.
Gjoba janë shqiptuar edhe për mosrespektimin e afateve të përcaktuara nga inspektorët dhe për vendosjen në treg të produkteve që nuk përputhen me legjislacionin në fuqi.
Në kuadër të lehtësimit të raportimit të shkeljeve, MINTI ka funksionalizuar edhe një platformë në Viber për ankesat e konsumatorëve, përmes numrit +383 (46) 311-000.
Ndërkohë, është funksionalizuar edhe Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Deri në korrik janë mbajtur katër takime me përfaqësues të institucioneve përkatëse, ku janë trajtuar problemet kryesore me të cilat përballen konsumatorët.