Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë ka shprehur mbështetjen për punën e institucioneve kosovare në identifikimin e personave të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999.
Në një reagim, ambasada tha se qëndron pranë familjeve që prej vitesh presin përgjigje për fatin e të afërmve të tyre dhe mirëpriti procesin e gërmimeve në komunën e Zubin Potokut.
Britania ka vlerësuar edhe punën për ekzaminimet mjekoligjore dhe testet e ADN-së, përmes të cilave synohet të përcaktohet identiteti i mbetjeve mortore të gjetura.
Gërmimet në tri lokacione të Zubin Potokut kanë zgjatur më shumë se një muaj, ndërsa deri tani janë nxjerrë mbetje mortore të 23 personave.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha gjatë një konference me Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur se numri i të gjeturve përkon me atë që njihet si “grupi i intelektualëve”.
Procesi tash pritet të vijojë me ekzaminimet mjekoligjore dhe analizat e ADN-së, para se identitetet e viktimave të konfirmohen zyrtarisht dhe familjet të njoftohen.