Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur të pafajshëm Halil, Kreshnik dhe Kastriot Mehmetajn, të cilët akuzoheshin për përfshirje në vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Aktgjykimi është shpallur të hënën, pas një procesi gjyqësor që zgjati disa vite.
Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 26 nëntor 2021, kur një autobus në Gllogjan ishte sulmuar me armë zjarri. Si pasojë, kishin humbur jetën shoferi Gani Gjokaj dhe dy nxënës 17-vjeçarë, L.H. dhe G.M., ndërsa një person tjetër ishte plagosur rëndë.
Prokuroria kishte pretenduar se shënjestër e sulmit ishte shoferi Gjokaj, për të cilin familja Mehmetaj dyshohej se e konsideronte përgjegjës për vetëvrasjen e vajzës së tyre, Heroina Mehmetaj.
Sipas aktakuzës, Kastriot Mehmetaj akuzohej se kishte qëlluar drejt autobusit, Kreshnik Mehmetaj se e kishte ndihmuar në largim, ndërsa Halil Mehmetaj se kishte nxitur dy djemtë e tij për kryerjen e vrasjes.
Rasti ishte rihapur në korrik të këtij viti pas administrimit të një videoincizimi të ri.
Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjykata vendosi që të tre të akuzuarit të shpallen të pafajshëm.