Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë ka konfirmuar rastin e parë të infeksionit nga Virusi i Nilit Perëndimor në vend gjatë vitit 2026.
Rasti është evidentuar gjatë dhjetëditëshit të dytë të gushtit në qarkun e Korçës, pas monitorimit të rasteve të dyshuara për infeksion.
Sipas ISHP-së, që nga fillimi i vitit janë testuar 30 mostra të personave të dyshuar, të cilat kanë rezultuar negative. Rasti në Korçë është i pari i konfirmuar këtë vit.
Instituti ka bërë të ditur se po vazhdon survejanca epidemiologjike, hetimi i rastit dhe monitorimi i situatës në terren.
Virusi i Nilit Perëndimor është raportuar edhe në vitet e mëparshme në Shqipëri. Në vitin 2024 u konfirmuan 107 raste dhe u evidentuan edhe 50 raste të mundshme, ndërsa në vitin 2025 u raportuan dy raste të konfirmuara.