August 24, 2026
1 min read

BSPK kërkon masa urgjente për sigurinë në KEK: “Jeta e punëtorit nuk negociohet”

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka kërkuar forcimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë në KEK, duke theksuar se aksidentet duhet të parandalohen dhe jo vetëm të hetohen pasi të ndodhin.

Kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli, së bashku me drejtuesit e Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Kosovës, është takuar me drejtuesit e KEK-ut, ku janë diskutuar rastet fatale në vendin e punës dhe masat për rritjen e sigurisë.

Hykolli ka kërkuar mbikëqyrje profesionale më të madhe, kontrolle të rregullta mjekësore, pajisje mbrojtëse të mjaftueshme, mirëmbajtje të vazhdueshme dhe trajnime për punëtorët.

BSPK dhe SPEK kanë kërkuar gjithashtu krijimin e një mekanizmi profesional për parandalimin e aksidenteve dhe forcimin e Qendrës së Trajnimeve të KEK-ut.

Nga KEK-u është bërë e ditur se janë shtuar masat e sigurisë, janë zgjeruar trajnimet dhe po kryhen kontrolle të rregullta mjekësore për punëtorët.

Sipas BSPK-së, familjet e punëtorëve që humbin jetën në vendin e punës përfitojnë përkujdesje ekonomike, por sindikata ka theksuar se prioritet duhet të jetë parandalimi i rasteve fatale.

“Vdekja e punëtorit në vendin e punës nuk guxon të politizohet. Çdo rast fatal kërkon hetim profesional, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete parandaluese”, ka deklaruar Hykolli.

Në takim është diskutuar edhe për pajisjet mbrojtëse, shujtën e punëtorëve, mbrojtjen ekonomike të të lënduarve dhe rregullimin e marrëdhënieve të punës përmes kontratës kolektive.

“Jeta e punëtorit nuk negociohet. Siguria e tij nuk shtyhet. Vdekja e tij nuk politizohet”, përfundon komunikata e BSPK-së.

Latest from Blog

Go toTop