Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se edhe nesër do të vazhdojë kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.
Masa është marrë për shkak të temperaturave të larta, të cilat pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Në autoudhë, kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi i këtyre automjeteve do të lejohet pa kufizime.
Nga masa përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimet emergjente dhe automjetet e institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe shoferëve që ta respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin sipas orarit të përcaktuar.