Bashkimi Evropian në Kosovë dhe Shoqata Ukrainase e Kosovës “Urat e Miqësisë” kanë shënuar 35-vjetorin e Pavarësisë së Ukrainës në një aktivitet të mbajtur në Europe House në Prishtinë.
Në ngjarje morën pjesë zyrtarë të institucioneve të Kosovës, përfaqësues diplomatikë, media dhe pjesëtarë të shoqërisë civile, ndërsa i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Shefja në detyrë e BE-së në Kosovë, Eva Palatova, vlerësoi guximin dhe qëndrueshmërinë e popullit ukrainas, duke thënë se Ukraina po mbron jo vetëm territorin e saj, por edhe sigurinë evropiane.
Palatova theksoi se BE-ja do të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën në aspektin politik, financiar, humanitar, ushtarak dhe diplomatik, përfshirë procesin e integrimit evropian.
Ajo falënderoi Kosovën për solidaritetin me Ukrainën dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë.
Në këtë drejtim, Palatova i bëri thirrje Kosovës që ta forcojë edhe më tej mbështetjen për Ukrainën, veçanërisht në sektorin e energjisë.
Ajo përmendi gjithashtu se BE-ja ka ofruar 3.7 miliardë euro ndihmë financiare për Kosovën që nga viti 1999, duke shprehur synimin që si Kosova, ashtu edhe Ukraina, të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian.