Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 31 vatra zjarri në territorin e vendit.
Prej tyre, 3 vatra mbeten aktive, ndërsa 6 të tjera janë nën mbikëqyrje. Zjarret aktive janë në Malin e Dajtit, Ballenjë të Dibrës dhe Qafën e Helmës në Bulqizë.
Sipas autoriteteve, vatrat aktive aktualisht nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 370 forca operacionale, 22 mjete zjarrfikëse, 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë.
Ndërkohë, situata në Pukë është përmirësuar ndjeshëm. Zjarret në Gjegjan, Gojan të Vogël dhe Gojan të Madh janë shuar plotësisht, ndërsa zonat vijojnë të monitorohen.