Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së Eqrem Kryeziut, duke e cilësuar atë si një prej figurave të rëndësishme të LDK-së dhe të jetës institucionale në Kosovë.
Abdixhiku ka vlerësuar kontributin e Kryeziut si intelektual dhe veprimtar i hershëm politik, duke theksuar angazhimin e tij të gjatë në kuadër të LDK-së.
Sipas Abdixhikut, Kryeziu ishte pjesë e gjeneratës themeluese të partisë dhe një bashkëpunëtor i afërt i presidentit historik Ibrahim Rugova.
Ai ka kujtuar se Kryeziu për më shumë se dy dekada drejtoi Degën e LDK-së në Prizren, ndërsa gjatë karrierës së tij politike mbajti edhe postin e nënkryetarit të parë të LDK-së.
Kryeziu shërbeu gjithashtu si deputet dhe kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para pas çlirimit, periudhë që Abdixhiku e ka cilësuar si ndër më të rëndësishmet dhe më sfidueset për institucionet e Kosovës.
“Profesor Eqremi ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i palëkundur i presidentit Rugova”, ka shkruar Abdixhiku.