Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së ish-kryetarit të Prizrenit, Eqrem Kryeziu, duke vlerësuar kontributin e tij ndër vite në jetën publike të Kosovës.
Osmani e ka përshkruar Kryeziun si intelektual, profesor dhe veprimtar të përkushtuar, i cili sipas saj i shërbeu vendit me dije dhe guxim.
Ajo ka kujtuar angazhimin e tij të gjatë politik e institucional, duke përmendur bashkëpunimin me presidentin historik Ibrahim Rugova, detyrën e nënkryetarit të LDK-së, udhëheqjen e Komunës së Prizrenit, si dhe shërbimin si deputet e nënkryetar i Kuvendit.
Sipas Osmanit, Kryeziu la gjurmë të rëndësishme në proceset e shtetndërtimit të Kosovës dhe në zhvillimin e Prizrenit.
“Profesor, intelektual e veprimtar i palodhur, Eqrem Kryeziu i shërbeu vendit me dije, guxim dhe përkushtim”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka shprehur ngushëllime për familjen Kryeziu, miqtë, bashkëpunëtorët, qytetarët e Prizrenit dhe të gjithë Kosovën.
Eqrem Kryeziu, një prej figurave të hershme të LDK-së dhe ish-kryetar i Prizrenit, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.