Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkuar kanë konkretizuar marrëveshjen për ndarjen e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, duke arritur rezultatet e para në kuadër të bashkëpunimit të dy vendeve.
Bëhet fjalë për një marrëveshje të arritur muajin e kaluar, e para e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, përmes së cilës dy shtetet do të ndajnë pasuritë e rikuperuara nga aktivitetet kriminale.
Rasti i parë lidhet me një procedurë penale të përfunduar në Angli dhe Uells, ku bëhej fjalë për një komplot për furnizimin me kanabis të grupeve të krimit të organizuar. Bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe britanike mundësoi identifikimin dhe rikuperimin në Shqipëri të pasurive që dyshohet se ishin krijuar nga aktiviteti kriminal.
Sipas njoftimit të Ambasadës britanike në Tiranë, marrëveshja e parë përfshin rreth 54 mijë paund pasuri të paluajtshme të rikuperuara, të cilat do të ndahen në mënyrë të barabartë mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Autoritetet e të dyja vendeve e konsiderojnë këtë mekanizëm një tjetër instrument në luftën kundër krimit të organizuar, me synimin që pasuritë e krijuara nga aktivitetet kriminale të gjurmohen, identifikohen dhe rikuperohen edhe kur ato ndodhen jashtë kufijve të vendit ku është kryer vepra.
Sipas palëve, pasuritë e rikuperuara mund të përdoren më tej për qëllime në të mirë të shoqërisë në të dyja shtetet.
Marrëveshja është nënshkruar në Tiranë më 13 korrik, nga ambasadori britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, dhe drejtuesja e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Risena Xhaja. Dokumenti u bë publik më 26 gusht.
Të dhënat e paraqitura nga pala britanike tregojnë se vetëm gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, vlera e pasurive të sekuestruara në Shqipëri arriti në rreth 58 milionë euro, ndërsa u evidentuan mbi 1 mijë raste të sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurive të paluajtshme.
Marrëveshja e re është pjesë e bashkëpunimit më të gjerë mes Tiranës dhe Londrës kundër krimit të organizuar dhe migracionit të paligjshëm.
Ky bashkëpunim mori një shtysë të re në dhjetor të vitit 2022, kur Edi Rama dhe kryeministri i atëhershëm britanik, Rishi Sunak, nënshkruan një deklaratë të përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e një task force mes dy vendeve.
Task-forca, e themeluar në maj 2023 dhe plotësisht operative nga gushti i po atij viti, përfshiu përfaqësues të Policisë së Shtetit, autoriteteve britanike të emigracionit dhe Agjencisë Kombëtare të Krimit.
Në nëntor 2023, bashkëpunimi u zgjerua edhe më tej përmes një deklarate për çështjet e brendshme, ku u përcaktuan si prioritete financat e paligjshme, korrupsioni, narkotikët dhe krimi i organizuar i lidhur me migracionin.
Në kuadër të luftës kundër financave kriminale, dy vendet janë angazhuar për shkëmbim më të madh të informacionit, bashkëpunim operacional dhe forcim të kapaciteteve për hetimin, ndjekjen penale dhe rikuperimin e pasurive të krijuara nga krimi.
Mbretëria e Bashkuar po ashtu vazhdon të mbështesë autoritetet shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe përdorimit të kriptovalutave nga rrjetet kriminale.