Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për vonesën në shpërndarjen e mjeteve për blerjen e teksteve shkollore, duke theksuar se kanë mbetur vetëm pesë ditë deri në fillimin e vitit të ri shkollor.
Përmes një reagimi, Bajrami ka deklaruar se ministri i Arsimit u kishte bërë thirrje prindërve që të mos i blinin librat, me arsyetimin se ministria ishte në negociata me shtëpitë botuese për çmimet.
Sipas saj, vonesa ka krijuar një situatë të pafavorshme për prindërit, ndërsa tash, kur 1 shtatori është shumë afër, pozita e shtëpive botuese në negociata mund të jetë më e fuqishme.
Bajrami ka ngritur shqetësimin edhe për komunat që nuk kanë librari, duke theksuar vështirësitë që prindërit mund të kenë për sigurimin e të gjithë teksteve brenda një kohe të shkurtër.
Ajo ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të procesit, duke thënë se furnizimi i nxënësve me libra ka qenë një prej proceseve që më herët ka funksionuar mirë në sistemin arsimor.
Në fund, deputetja e LDK-së e ka cilësuar situatën si “amatere”, duke akuzuar institucionet se kanë përmbysur një proces që, sipas saj, kishte funksionuar më parë.