Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar në Shkup punimet për ndërtimin e kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza”, së bashku me përfaqësues të institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe drejtues të VLEN-it.
Kurti ka thënë se projekti përbën investimin më të madh shtetëror në arsim në historinë e Maqedonisë së Veriut dhe një prej investimeve më të mëdha për shqiptarët.
Në fazën e parë të projektit pritet të investohen 40 milionë euro, ndërsa në fazën e dytë edhe 20 milionë euro të tjera.
Sipas Kurtit, kampusi do t’u krijojë mbi 5 mijë studentëve dhe më shumë se 200 mësimdhënësve kushte moderne për studim, punë praktike, inovacion dhe kërkim shkencor.
Kampusi po ndërtohet në hapësirën ku dikur ndodhej kazerma e ish-Armatës Popullore Jugosllave “Marshall Tito”.
Nga një hapësirë me të kaluar ushtarake, lokacioni pritet të shndërrohet në një qendër të dijes, arsimit dhe zhvillimit.