Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar një mbledhje elektronike, në të cilën janë marrë disa vendime që lidhen me financimin e institucioneve dhe çështje të tjera administrative.
Ndër vendimet kryesore është miratimi i transferimit të 4.33 milionë eurove për Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës, të destinuara për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.
Po ashtu, është miratuar transferimi i 1 milion eurove për Ministrinë e Punëve të Brendshme, për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.
Qeveria ka aprovuar edhe kërkesën e Komunës së Podujevës për transferimin e 300 mijë eurove, të cilat do të përdoren për mbulimin e obligimeve kontraktuale.
Në mbledhje është vendosur gjithashtu për kompensimin mujor të anëtarëve të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (ESCORP)”.
Ndër vendimet e tjera është edhe dhënia në shfrytëzim e një parcele prej 999 metrash katrorë në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës, për nevojat e Ministrisë së Drejtësisë.
Në fund, Qeveria ka nominuar edhe tre përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.