Afati i dytë i provimit të maturës do të mbahet këtë të shtunë, më 29 gusht, ndërsa për këtë fazë janë aprovuar gjithsej 4 mijë e 967 kandidatë.
Sipas Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, në afatin e dytë kanë aplikuar përmes platformës eKosova 5 mijë e 33 kandidatë, ndërsa pas shqyrtimit dhe verifikimit janë aprovuar 4 mijë e 967 aplikime.
Provimi nis në orën 10:00 dhe do të zhvillohet në 55 qendra të testimit në vend.
Komisionarët dhe administruesit duhet të jenë në qendrat përkatëse një orë para fillimit, në mënyrë që procesi të organizohet pa probleme.
Ndërkohë, kandidatët duhet të paraqiten në qendrën e përcaktuar në listat përfundimtare dhe të kenë me vete dokument identifikimi.
Ministria ka kërkuar nga të gjithë kandidatët respektimin e rregullave dhe udhëzimeve, me qëllim që provimi të zhvillohet në mënyrë të rregullt, të sigurt dhe të barabartë për të gjithë.