Në Suharekë ka nisur tradicionalisht vjelja e rrushit të verës, ndërsa nga plantacionet e “AgroKosova Holding” në Shirokë është përcjellë thirrja për më shumë mbështetje ndaj prodhuesve vendorë.
Në aktivitet morën pjesë kryetari i AKB-së, Agim Shahini, drejtori i kompanisë, Aziz Tafaj, dhe kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.
Shahini tha se zhvillimi ekonomik i Kosovës nuk duhet të mbështetet vetëm në konsum dhe remitenca, por në prodhim, punësim, eksport dhe investime.
Ai kërkoi nga institucionet më shumë subvencione dhe kushte për prodhuesit, duke theksuar rëndësinë e fuqizimit të brendit “Made in Kosova”.
Ndërkohë, drejtori i “AgroKosova Holding”, Aziz Tafaj, bëri të ditur se vjelja në plantacionet e kompanisë ka nisur më 17 gusht, më herët se zakonisht, duke e cilësuar këtë si tregues të kushteve të favorshme klimatike të Suharekës për kultivimin e rrushit.
Edhe kryetari Bali Muharremaj tha se mbështetja e bizneseve duhet të jetë prioritet i institucioneve, duke vlerësuar cilësinë e prodhimeve bujqësore të kësaj zone.


