August 27, 2026
1 min read

Pelegrinë nga Serbia drejt Kosovës në shtator, në pikëpyetje udhërrëfyesit e licencuar

Një grup pelegrinësh nga Beogradi pritet të udhëtojë drejt Kosovës nga 26 deri më 28 shtator, në kuadër të një pelegrinazhi të organizuar nga shoqata “Badnjak”.

Gjatë tri ditëve, grupi pritet të vizitojë një numër kishash e manastiresh ortodokse në Kosovë, përfshirë ato në Graçanicë, Prizren, Rahovec, Deçan dhe Pejë.

Udhëtimi është paraparë të kushtojë 90 euro për person, ndërsa organizatorët kanë përfshirë edhe një komponent humanitar në program.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse organizatorët do të angazhojnë udhërrëfyes turistik të licencuar nga autoritetet e Kosovës.

Nga 1 gushti ka nisur zbatimi i Ligjit për Turizmin, i cili përcakton se një udhërrëfyes i huaj mund të shoqërojë grupin, por për shërbimet e udhërrëfimit duhet të jetë i shoqëruar nga një udhërrëfyes i regjistruar në Kosovë.

Ligji gjithashtu sqaron se pelegrinazhet fetare nuk konsiderohen automatikisht shërbime turistike, ndërsa priftërinjtë dhe përfaqësuesit fetarë që shoqërojnë besimtarët në kuadër të rolit të tyre fetar nuk konsiderohen udhërrëfyes turistikë vetëm për këtë arsye.

Çështja ka shkaktuar reagime edhe në Serbi dhe në Kishën Ortodokse, nga ku është theksuar se vizitat e besimtarëve në manastire nuk duhet të trajtohen njësoj si turet turistike komerciale.

Latest from Blog

Go toTop