Një ndërhyrje kirurgjikale e avancuar është realizuar me sukses në Klinikën e Ortopedisë të QKUK-së, për trajtimin e një frakture komplekse të pelvikut te një pacient 50-vjeçar.
Sipas QKUK-së, ndërhyrja është kryer me teknikën e fiksimit perkutan, një metodë minimalisht invazive që mundëson stabilizimin e kockave të dëmtuara përmes prerjeve të vogla.
Kjo teknikë ndihmon në uljen e dëmtimit të indeve dhe humbjes së gjakut, ndërsa mund të mundësojë më pak dhimbje pas operacionit, mobilizim më të hershëm dhe rikuperim më të shpejtë.
Ndërhyrja u realizua nga ekipi i Klinikës së Ortopedisë, në bashkëpunim me ekipin e Anestezionit dhe stafin mbështetës.
QKUK e ka cilësuar këtë procedurë si një hap të rëndësishëm në avancimin e trajtimit të traumave komplekse të pelvikut, duke hapur mundësi të reja për pacientët që do të kenë nevojë për këtë trajtim në të ardhmen.
