Familjarët e personave të zhdukur, së bashku me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe Institutit për Mjekësi Ligjore, kanë vizituar sot lokacionin e varrit masiv në Kalludër të Zubin Potokut.
Gjatë vizitës, në këtë lokacion janë vendosur lule në kujtim të personave që dyshohet se janë vrarë dhe zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Vizita është zhvilluar në prag të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, e cila shënohet çdo vit për të nderuar dhe përkujtuar personat ende të pagjetur.
Gërmimet në këtë zonë nisën në fund të korrikut, ndërsa autoritetet kanë konfirmuar se në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë janë gjetur mbetje mortore të 23 personave.
Sipas Komisionit Qeveritar, viktimat dyshohet se janë zhdukur me forcë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Institucionet e Kosovës dyshojnë se mbetjet e gjetura në Zubin Potok mund t’u përkasin 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit gjatë vitit 1999.