August 28, 2026
1 min read

Komandanti Di Fiore nga Ura e Ibrit: Përkushtimi dhe gatishmëria e KFOR-it mbeten të palëkundura

Komandanti i Njësisë Shumëkombëshe të Specializuar (MSU) të KFOR-it, kolonel Gianfranco Di Fiore, ka vizituar pjesëtarët e kësaj njësie që vazhdojnë të jenë të pozicionuar mbi Urën e Ibrit.

Gjatë vizitës, Di Fiore ka përcjellë mesazhin se, pavarësisht ndryshimeve të mundshme në vendosjen e trupave në pjesë të ndryshme të Kosovës, angazhimi dhe përgjegjësitë e misionit do të mbeten të pandryshuara.

“Ndonëse mund të ketë ndryshime të pozicionimit të misionit nëpër Kosovë, përkushtimi, gatishmëria dhe përgjegjësitë mbesin të palëkundura”, ka thënë Di Fiore.

KFOR-i më herët ka bërë të ditur se po shqyrton gradualisht zvogëlimin e pranisë së trupave në urë dhe bartjen e përgjegjësive te Policia e Kosovës.

Ura mbi Ibër, e cila aktualisht është e hapur për këmbësorë, por jo për automjete, për shumë vite pas luftës së vitit 1999 ka qenë një nga pikat më të ndjeshme të tensioneve ndëretnike në Kosovë.

Sipas NATO-s, largimi gradual i trupave nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pranisë së KFOR-it, pas vlerësimit se situata e sigurisë në vend është përmirësuar.

KFOR-i ka theksuar se do të vazhdojë ta monitorojë situatën në terren dhe do ta përshtatë pozicionimin e trupave në mënyrë që të kontribuojë në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët.

Pjesëtarët e misionit do të vazhdojnë të jenë të pranishëm edhe në zonat përreth Urës së Ibrit.

Latest from Blog

Go toTop