Prania e qenve endacakë vazhdon të paraqesë shqetësim edhe në hapësirat përreth Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa institucioni ka marrë masa për t’i larguar ata.
QKUK ka lidhur kontratë për furnizimin dhe instalimin e pajisjeve elektronike ultrasonike, të cilat synojnë të parandalojnë praninë e kafshëve të padëshiruara në hapësirat e kompleksit.
Kontrata është nënshkruar më 27 gusht 2026 me kompaninë “PRO BUILDING” SH.P.K., ndërsa vlera e saj është 3,465 euro. Sipas dokumenteve, kontrata do të zgjasë gjashtë muaj.
Vendosja e këtyre pajisjeve vjen në një kohë kur qentë endacakë vazhdojnë të jenë problem në hapësirat publike, duke shkaktuar shqetësim te qytetarët dhe veçanërisht te personat që frekuentojnë QKUK-në.
Në dokumentet e prokurimit thuhet se për këtë aktivitet është pranuar një ofertë, e cila është vlerësuar si e përgjegjshme, ndërsa përzgjedhja është bërë mbi bazën e çmimit më të ulët.
Vlera e parashikuar për këtë kontratë ishte 3,500 euro, ndërsa financimi do të bëhet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës.