Këngët e Dolly Parton kanë shënuar një rritje të jashtëzakonshme në transmetime pas vdekjes së saj të martën, duke e bërë atë artisten më të dëgjuar në botë në platformat kryesore audio të mërkurën.
Sipas të dhënave të Luminate, transmetimet audio dhe video të katalogut të saj në SHBA u rritën me 2,458 për qind në ditën e vdekjes, nga 1.2 milionë në 30.5 milionë. Një ditë më pas, shifra arriti në 46.3 milionë.
Edhe në nivel global, interesi për muzikën e saj u rrit ndjeshëm. Transmetimet u rritën nga 2.5 milionë të hënën në 41.8 milionë të martën, ndërsa të mërkurën arritën në 79.7 milionë, duke e renditur Parton në krye të artistëve më të transmetuar në botë.
Në SHBA, ndër këngët që morën rritjen më të madhe të dëgjimeve ishin “Jolene”, “9 to 5” dhe “Islands in the Stream”, dueti i saj me të ndjerin Kenny Rogers.
Interes të madh kanë marrë edhe “I Will Always Love You”, “Here You Come Again”, “Coat of Many Colors”, “Why’d You Come In Here Lookin’ Like That?”, “There Was Jesus”, “My Tennessee Mountain Home” dhe “Tyrant”, bashkëpunimi me Beyoncé në albumin Cowboy Carter.
Rritja e interesit është vërejtur edhe në shitjet e librave. Tre tituj të lidhur me Parton kanë hyrë në mesin e pesë librave më të shitur në Amazon, përfshirë kujtimet “Dolly Parton, Këngëtare: Jeta ime në Tekste” dhe një libër me ilustrime të bazuar në këngën “Coat of Many Colors”.