Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka njoftuar se do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku pritet të marrë pjesë në një konferencë të Partisë Republikane në Teksas, e organizuar në kuadër të zgjedhjeve të mesmandatit.
Gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, Berisha bëri të ditur se ka marrë ftesë për të qenë pjesë e një delegacioni të Unionit Demokrat Ndërkombëtar, në të cilin përfshihen drejtues të rreth 30 partive anëtare.
Sipas Berishës, Partia Republikane do të zhvillojë në Teksas konferencën që lidhet me zgjedhjet e mesmandatit, ndërsa Unioni Demokrat Ndërkombëtar ka formuar një delegacion me kryetarët e rreth 30 partive për të marrë pjesë në këtë organizim.
“Partia Republikane Amerikane zhvillon në Teksas konferencën për zgjedhjet e mid-term, që i quajnë ata zgjedhjet në mes të mandatit. Dhe Unioni Demokrat Ndërkombëtar, në të cilin Partia Republikane ka peshën më kryesore, se është partia më e madhe me të gjitha ato, ka krijuar një delegacion me kryetarët e rreth 30 partive të këtij unioni për të marrë pjesë në konferencën në Teksas”, deklaroi Berisha.
Por kjo nuk është ftesa e vetme që, sipas tij, ka mbërritur nga SHBA-ja. Kreu i PD-së tha se ka marrë edhe një ftesë të dytë nga një institut amerikan, i cili, sipas tij, është i lidhur me konferencën që do të mbahet në Teksas.
“Por përveç kësaj ftese në përbërje të delegacionit, unë kam dhe një ftesë tjetër nga një institut amerikan që ka lidhje me këtë konferencë. Kështu që unë pres dokumentet dhe do marr pjesë”, u shpreh ai.
Sa u përket takimeve që mund të zhvillojë gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Berisha tha se ende nuk ka një agjendë të përcaktuar, por pret që takimet të konfirmohen gjatë ditëve të ardhshme.
“Për sa i përket takimeve, nuk kam fiksuar, por shpresoj që të fiksoj gjatë ditëve të ardhshme”, deklaroi Berisha.