Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka takuar kadetët nga Kosova që kanë përfunduar me sukses shkollimin në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë.
Takimi është zhvilluar para fillimit të ceremonisë së diplomimit, ku Maqedonci ka uruar nëntogerët Ramadan Rexha, Gjergj Dreni, Altin Salihaj, Elmë Ramadani dhe Admirim Ismajli për përfundimin e shkollimit të tyre.
Pesë kadetët kanë përfunduar gjithsej pesë vite shkollim, prej të cilave një vit kurs përgatitor të gjuhës turke dhe katër vite studime ushtarake.
Maqedonci ka theksuar se Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, krahas modernizimit dhe zhvillimit të kapaciteteve, po i kushtojnë rëndësi të veçantë arsimimit dhe ngritjes profesionale të personelit.
“Investimi në kuadro të mirëfillta ushtarake është investim në të ardhmen e FSK-së dhe në ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere”, ka deklaruar Maqedonci.
Sipas tij, shkollimi i oficerëve të FSK-së në akademitë ushtarake të vendeve partnere ndikon edhe në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit ndërmjet forcave të armatosura.
Në fund, Maqedonci ka falënderuar Republikën e Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme në arsimimin dhe zhvillimin profesional të pjesëtarëve të FSK-së, ndërsa pesë nëntogerëve u ka uruar suksese në detyrat e tyre në shërbim të FSK-së dhe Republikës së Kosovës.
/Demantim News/