Një ngjarje tragjike ka tronditur një familje në Skoci, ku Chelsea McGillivray, 31 vjeçe, ka humbur jetën gjatë lindjes së fëmijës së saj të parë.
Chelsea, nga Rutherglen pranë Glasgout, ndërroi jetë më 24 gusht, pasi pësoi arrest kardiak teksa po përgatitej të sillte në jetë djalin e saj, Tommy. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo nuk arriti të mbijetonte.
Foshnja Tommy arriti të mbijetojë pas lindjes së vështirë. Ai qëndroi për disa ditë nën kujdes intensiv, ndërsa së fundmi është kthyer në shtëpi.
Pas tragjedisë, familjarët kanë nisur një fushatë për mbledhjen e fondeve në mbështetje të partnerit të Chelseat, Jack Mitchell, 31 vjeç, i cili tashmë duhet të kujdeset i vetëm për djalin e tyre.
Deri më tani, mbi 2,300 persona kanë kontribuar me rreth 74,480 funte, ndërsa synimi i fushatës është mbledhja e 100 mijë funteve.
Familjarët e kanë përshkruar Chelsean si një grua që kishte ëndërruar gjithmonë të bëhej nënë dhe që kishte një lidhje të veçantë me fëmijët.
Ndërkohë, vogëlushi Tommy është cilësuar nga familja si një “mrekulli e vogël”, pasi arriti të mbijetonte pavarësisht rrethanave të rënda të lindjes.
Fondet e mbledhura do të përdoren për të mbështetur Jackun dhe djalin e tij në përballimin e shpenzimeve dhe vështirësive pas humbjes tragjike.
/Demantim News/