Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka publikuar fotografi të reja nga burgu ku po mbahet në Nju Jork, rreth tetë muaj pas arrestimit të tij.
Fotografitë, të publikuara përmes llogarisë së tij në platformën X, raportohet se janë realizuar më 25 qershor 2026. Në to, Maduro shfaqet i veshur me tuta gri dhe syze të zeza, ndërsa duket më i dobësuar fizikisht. Ai shihet duke buzëqeshur dhe duke bërë shenjën e fitores.
Në një mesazh të publikuar krahas fotografive, Maduro ka falënderuar mbështetësit e tij, duke thënë se vazhdon të mbetet i palëkundur.
“Dua që ta dini se ne mbetemi të palëkundur, me zemrat tona plot me dashurinë tuaj”, ka shkruar ndër të tjera Maduro, duke falënderuar për mesazhet, lutjet dhe mbështetjen.
Në një tjetër postim në spanjisht, ai ka bërë të ditur se fotografitë ia kishte dërguar familjes së tij si një “dhuratë të vogël dashurie dhe shprese”.
Pamjet e mëparshme të Maduros ishin publikuar pas arrestimit të tij në janar, si dhe gjatë transferimit të tij drejt një gjykate amerikane.
Fotografitë e reja vijnë derisa ish-presidenti venezuelian vazhdon të mbahet në paraburgim në Shtetet e Bashkuara.
/Demantim News/