August 30, 2026
1 min read

OVL-UÇK në Ditën e të Zhdukurve: Serbia mban arkivat dhe përgjigjet, duhet t’i hapë ato

Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kujtuar personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke shprehur solidaritet me familjet që prej vitesh presin të mësojnë fatin e më të dashurve të tyre.

Përmes një reagimi, OVL-UÇK ka theksuar se çështja e të zhdukurve vazhdon të mbetet një prej plagëve më të rënda të luftës, ndërsa ka kërkuar që ajo të mos mbetet peng i heshtjes, kalkulimeve politike apo, siç pretendon organizata, shpërfilljes institucionale.

“Serbia mban arkivat dhe përgjigjet. Ajo duhet t’i hapë ato dhe institucionet ndërkombëtare duhet ta detyrojnë ta bëjë këtë”, thuhet në reagim.

Organizata ka kërkuar që të intensifikohen përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, si dhe të ketë llogaridhënie dhe drejtësi për familjet e tyre.

“Kërkojmë të vërtetën, llogaridhënien dhe drejtësinë. Asgjë më pak. Familjet e tyre nuk do të mbeten kurrë vetëm”, përfundon reagimi i OVL-UÇK-së.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop