August 30, 2026
1 min read

“NGJYRAT E LIRISË” – HAPET EKSPOZITA KUSHTUAR LUFTËS SË UÇK-SË DHE SAKRIFICËS PËR LIRI

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka hapur ekspozitën “Ngjyrat e Lirisë”, një aktivitet artistik që përmes artit sjell në vëmendje luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrificën për liri dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive.

Në kuadër të ekspozitës janë prezantuar punime të piktorëve, skulptorëve dhe artistëve të mediumeve të ndryshme. Përmes veprave të tyre, artistët kanë trajtuar luftën e UÇK-së, sakrificën, viktimat dhe pasojat që lufta la pas.

Në ceremoninë e hapjes, në emër të platformës “Liria ka Emër”, ka folur Eliza Hoxha, e cila ka vënë theksin te fuqia e artit për ta ruajtur historinë dhe për t’ua përcjellë atë brezave të rinj.

“Liria jonë ka një histori, ka emra, ka sakrificë dhe ka kujtesë. Përmes artit, kjo histori merr një gjuhë tjetër, por mesazhi mbetet i njëjtë: liria që e gëzojmë sot është ndërtuar mbi sakrificën e shumë brezave dhe ajo duhet të kujtohet, të nderohet dhe t’u përcillet brezave që vijnë”, ka deklaruar Hoxha.

Sipas saj, “Ngjyrat e Lirisë” synon që historinë e luftës çlirimtare ta paraqesë edhe nga këndvështrimi i artistëve, duke e shndërruar artin në një formë të fuqishme të dëshmisë dhe kujtesës kolektive.

Ekspozita është pjesë e aktiviteteve të platformës “Liria ka Emër”, të cilat synojnë që përmes artit, kulturës dhe angazhimit qytetar të ruhet kujtesa për luftën çlirimtare, sakrificën dhe vlerën e lirisë.

/Demantim News/

Latest from Blog

Go toTop